ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 ott 2016
10 Tetor 2016

10 Tetor 2016

1/10 SHTUNË XXVII K.GJ.V. [II]

Sh.Tereza e Jezusit Fëmijë virgjër e mësuese

† 1897

Job 42,1-3.5-6.12-17; Ps 118; Lk 10,17-24

 

Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm… asnjë projekt për ty nuk është i pamundur!   Job 42,2

 

Edhe unë, me Jobin, pranoj se dashuria jote është e pathyeshme. Ti, Atë, mundesh në gjithçka, mundesh t'i duash të gjithë, mund të falësh këdo që vjen tek ti me pendesë, mund të ma japësh deri mua privilegjin që ta bëj atë çfarë bën ti! U ke dhënë në fakt apostujve të Jezusit gëzimin e largimit të shpirtërave të së keqes e të urrejtjes, atyre të papastërtisë dhe të smirës, si nga vetvetja e si nga të tjerët. Ti mund të bësh me të vërtetë gjithçka!

 

 

2/10 E DJELA XXVII K.GJ.V. Viti C [II]

Engjëjt i rojes

Ab 1,2-3; 2,2-4; Ps 94; 2Tim 1,6-8.13-14;

Lk 17,5-10

 

Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. Lk 17,10

 

Sa e bukur është përvujtëria! Kush shërben me dashuri nuk mburret. Kush shërben duke dashur është i kënaqur të shërbejë, është i kënaqur që të jetë në dispozicion, është i kënaqur me gëzimin e atij që i bëhet shërbimi.

Jam i kënaqur të të shërbej, Jezus!

 

 

3/10 E HËNË XXVII K.GJ.V. [III]

Sh. Kandidi

Gal 1,6-12; Ps 110; Lk 10,25-37

 

A mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? Gal 1,10

 

Kush lajmëron Ungjillin nuk mund të pretendojë që të kuptohet e që të gjejë mbështetje nëpër botë. «Ne jemi mëkatarë, por i përkasim Jezusit: si u prit Jezusi, që nuk ishte mëkatar?».

 

 

4/10 E MARTË   SH. FRANÇESKU I ASIZIT Pajtor i Italisë † 1226 [P]

Gal 6,14-18; Ps 15; Mt 11,25-30

 

Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni prej meje Mt 11,29

 

Ja dikush që e ka marrë zgjedhën e Jezusit: Françesku i Asizit, që ka ecur përbri Zotit, dhe që ka mësuar prej tij për të mos u besuar në pasuritë dhe as në të pasurit. Ai i është bindur Zotit, e ka duruar përçmimin e vënien në lojë, ka dashur dhe ka falur e ka lajmëruar Ungjillin! Tani ai i ka sytë hapur ngado dhe përfton prej Hyjit imitues të rinj të Jezusit!

 

 

5/10 E MËRKURË XXVII K.GJ.V. [III]

Sh. Plaçidi

Gal 2,1-2.7-14; Ps 116; Lk 11,1-4

 

Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi Lc 11,1

 

Vetë Jezusi nuk e ndërmori me nismën e vet që të mësonte dishepujt për t’u lutur. Priti kërkesën e tyre. Dhe ata ia drejtuan, sepse mbetën të prekur kur shikonin sesi ai lutej, sesi e zgjaste lutjen e vet, e në dëgjimin e fjalëve të thjeshta e konfidenciale që i drejtonte Hyjit.

Faleminderit, Jezus, që na mësove për të soditur fytyrën e Atit!

 

 

6/10 E ENJTE XXVII K.GJ.V. [III]

Sh. Bruno murg † 1101

Gal 3,1-5; kant: Lk 1,69-75; Lk 11,5-13

 

Kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen Lk 11,10

 

Ishe ti që na e the, Jezus! E atëherë unë kërkoj me besim të plotë: i them Atit se nuk duhet të bëjë figurë të keqe. E i them gjithashtu se atë që kërkoj e kërkoj me bindje për ty: nuk mundesh për këtë që të bësh më pak se t'më përgjigjesh e t'më mbushësh me Shpirtin e tij dhe tëndin!

 

 

7/10 E PREMTE XXVII K.GJ.V. [III]

SHËN MARIA VIRGJËR E RRUZARES

Gal 3,7-14; Ps 110; Lk 11,15-26

(ose Vap 1,12-14; Kant. Lk 1,46-55; Lk 1,26-38)

 

Ishin të përqendruar prore së bashku në lutje Vap 1,14

 

Për çdo herë që unë lutem e që ne lutemi, bashkohemi në lutjen e apostujve e të Marisë, të pranishme mes tyre. Nëse bashkësia e krishterë nuk lutet, si mund të quhet e krishterë? Nëse në shumë vende Kisha tërhiqet, e shikon të boshatisen asembletë e veta liturgjike, kjo ndodh sepse nuk gjendet koha për t’u lutur me këmbëngulje. Edhe mirëkuptimi në Kishë është themeluar mbi lutjen!

 

 

8/10 E SHTUNË XXVII K.GJ.V. [III]

Sh.Pelagia

Gal 3,22-29; Ps 104; Lk 11,27-28

 

Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë! Lk 11,28

 

Përse janë të lumtur? Duke dëgjuar, ata marrin urtësinë e Hyjit, e duke respektuar Fjalën, jetojnë jetën hyjnore. Fjala shpallet që të jetë e ndjekur dhe e jetuar: një dhuratë e madhe. Mos lër që fëmijët e tu, vëllezërit e tu, shokët e tu të jetojnë pa dhuratën e Fjalës!

 

 

9/10 E DJELA XXVIII K.GJ.V. [IV]

Sh. Dionizi ipeshkëv dhe shokët martirë

† shek. III; Sh.Gjon Leonardi meshtar † 1609

2Re 5,14-17; Ps 97; 2Tim 2,8-13;

Lk 17,11-19

 

Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi Lk 17,16

 

Ishte samaritan dhe u shërua nga lebra falë bindjes së vet ndaj fjalës së Jezusit. Është kthyer nga ai për t’i thënë faleminderit. Është kthyer i vetmuar: ka lënë që shokët e tij të fatkeqësisë, e pastaj të shërimit, të bënin atë çfarë deshën, por ai u kthye. Të shkosh tek Jezusi për të kërkuar është e lehtë, e të gjithë e bëjnë. Të shkosh për ta falënderuar, duhet ta vendosësh ti, edhe nëse mbetesh i vetëm.

 

 

10/10 E HËNË XXVIII K.GJ.V. [IV]

Sh.Danieli

Gal 4,22-24.26-27.31 - 5,1; Ps 112; Lk 11,29-32

 

Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë Gal 5,1

 

Liria është ajo që të gjithë e kërkojnë. Ku dhe si e kërkojnë? Shumë liri bëhen skllavëri për ndokënd ose për ndonjë gjë: varësia ndaj njerëzve ose sendeve. Liria e vërtetë është fryt i pranisë së Jezusit e bindje ndaj tij. Jeto me të e do të jesh i çliruar nga frikërat, mashtrimet e gënjeshtrat. Me të do të jesh i aftë për të dashur pa u ndjerë i detyruar.

 

 

11/10 E MARTË XXVIII K.Gj.V. [IV]

Sh. Firmini

Gal 5,1-6; Ps 118; Lk 11,37-41

 

Një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë   Lk 11,3

 

Për fat të mirë, do të thonte ndokush. Po çfarë ftese është? Jezusi nuk është ftuar as si Zotëri e as si Mësues: në fakt gjykohet e kritikohet pikërisht nga ftuesi, pasi nuk merr avdes. Po Jezusi duhet ta ketë bërë me qëllim, për të pasur rastin t’u mësojë se ajo që duhet të prezantohet gjithmonë e pastër është zemra; e pastër nga çdo formë e së keqes dhe lakmisë.

 

 

12/10 E DJELË XXVIII K.GJ.[IV]

Sh. Serafini

Gal 5,18-25; Ps 1; Lk 11,42-46

 

E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit Gal 5,18

 

Kush ndjek frymëzimet e Shpirtit të Shenjtë gjithmonë nxitet për të dashur. Dashuria i kalon të gjitha ligjet. Asnjë ligj nuk duket shtrëngim, sepse kush do bën më tepër e më mirë sesa mund të urdhërohet!

 

 

13/10 E ENJTE XXVIII K.Gj.V. [IV]

Sh. Eduardi

Ef 1,1-10; Ps 97; Lk 11,47-54

 

Në të, na zgjodhi para krijimit të botës   Ef 1,4

 

Përzgjedhjet e Hyjit nuk varen nga ne. Dashuria e tij na paraprin, madje, është forca që na bën të jetojmë. Emri ynë qëndron përpara syve të tia përgjithmonë, aq sa bota ka ardhur tek ne si dhuratë e dashurisë së tij.

 

 

14/10 E PREMTE XXVIII K.GJ.V. [IV]Sh. Kalisti

Ef 1,11-14; Ps 32; Lk 12,1-7

 

Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!   Lk 12,7

 

Herë pas here shfaqen ngjarje të reja, me opinione e ideologji në gjithçka ndryshe nga feja jonë, e pra nga jeta jonë. Vallë duhet t’i lemë hapësirë frikës? As për të ëndërruar: Atin na mban nën mbikqyrje, sepse për të vlera jonë nuk është e krahasueshme me vlerën e trumcakëve, për të cilët edhe përkujdeset: ai na çmon si bij.

 

 

15/10 E SHTUNË XXVIII K.GJ.V. [IV]

Sh. Tereza e Avilës virgjër e mësuese † 1582

Ef 1,11-14; Ps 32; Lk 12,1-7

 

Kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje Lk 12,7

 

Mos ki frikë: nuk është çështja jote. Të blasfemosh Shpirtin do të thotë të kundërshtosh Jezusin si të vetmin Shëlbues, duke i atribuar veprën e tij Të Keqit. Kush kundërshton se është shëlbuar nga ai, nga kush tjetër mund të jetë shëlbuar? Po kush kthehet tek ai për të pranuar dashurinë e tij, është i shëlbuar!

 

 

16/10 E DJELA XXIX K.GJ.V. Viti C [I]

Sh. Hedviga rregulltare † 1243;

Es 17,8-13; Ps 120; 2Tim 3,14 - 4,2; Lk 18,1-8

 

Kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë? Lk 18,8

 

Sigurisht, Biri i njeriut do të gjejë besimin tim, e tëndin. E do të gjejë edhe atë më të bukurin, të martirëve, të nënave, baballarëve që përballen me vështirësitë për të dhënë dëshminë e të njëjit besim për fëmijët e tyre. Do të vazhdoj të lutem pa u lodhur, kështu që besimi im qoftë gjithmonë më i bukur e i frytshëm.

 

 

17/10 E HËNË XXIX K.GJ.V. [I]

Sh. Injaci i Antiokisë ipeshkëv dhe martir

† rreth 115

Ef 2,1-10; Ps99; Lk 12,13-21

 

Ju jeni të shëlbuar me hir Ef 2,5

 

Shën Pali e përsërit shumë herë këtë mësim. Ne nuk u shëlbuam sepse e meritonim, as edhe pse kemi punuar apo vuajtur shumë, por sepse Jezusi vdiq për ne. Ne ofrojmë zotim e lodhje për të qenë mirënjohës e për të dëshmuar dashurinë e Atij që na ka dashur deri në fund!

 

 

18/10 E MARTË SH. LUKA Ungjilltar

ZOJA E SHKODRËS PAJTORE E SHQIPËRISË

2Tim 4,10-17; Ps 144; Lk 10,1-9

 

Po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! Lk 10,3

 

Jezus, ti do që dishepujt e tu të jenë siç ke qenë ti: ti je një qengj, i butë dhe i ëmbël, e si një qengj je flijuar; e nuk ka qenë as turp as pandershmëri. Nuk do asgjë më të mirë për të tuajt: do të jenë dëshmitarë të dashurisë së Hyjit në botë, atje ku vihet në veprim dhuna e shtrëngimi. E nëse kjo dhunë do t’i bëjë të vuajnë e të vdesin do të jenë dishepujt e tu të vërtetë!

 

 

19/10 E MËRKURË XXIX K.GJ.V. [I]

Sh. Gjon Brebëf Izak Joges meshtarë dhe shokët martirë † shek. XVII;

Sh. Pal i Kryqit meshtar † 1775

Ef 3,2-12; Is 12,2-6; Lk 12,39-48

 

Njerëzit janë të thirrur për të formuar të njëjtin trup   Ef 3,6

 

Njerëzit janë popujt e tjerë, paganët. Jezusi nuk kundërshton askënd: të gjithë mund të transformohen nga Shpirti i tij i shenjtë, të gjithë munden, e pra, të hyjnë me të në zemrën e Hyjit. E ne nuk do të na vijë turp që t’i japim dorën kujtdo që jeton me Jezusin në zemër!

 

 

20/10 E ENJTE XXIX K.GJ.V. [I]

Sh. Irena

Ef 3,14-21; Ps 32; Lk 12,49-53

 

Ati ju forcoftë në fuqi për të mirën e njeriut të brendshëm Ef 3,16

 

Njeriu i brendshëm! Kush është? Kush është brenda meje, që askush nuk e shikon? Në mua është i pranishëm Jezusi, e me të unë jetoj, nga ai unë udhëhiqem, nga ai unë marr forcë për të vendosur dhe për të dashur. Je i dobët, i pavendosur, i paaftë për të dashur? Konsolidohet njeriu i brendshëm! Njeriu i brendshëm konsolidohet duke ushtruar bashkimin me Jezuin.

 

 

21/10 E PREMTE XXIX K.GJ.V. [I]

Sh. Ursula

Ef 4,1-6; Ps 23; Lk 12,54-59

 

Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit   Ef 4,3

 

Njeriu duket se është bërë për festën. Në festë njeriu është i kënaqur, ndjehet i realizuar. Ka festë kur ka bashkim zemre, kur nuk ka mosmarrëveshje, as përçarje. Nuk ia vlen që të fitosh gjithmonë me arsyet tona, nëse nuk e realizojmë festën: kjo është vetëm kur jemi të bashkuar, me atë unitet që na përthellon në Zotin.

 

 

22/10 E SHTUNË XXIX K.GJ.V. [I]

Sh. Maria Saloma

Ef 4,7-16; Ps 121; Lk 13,1-9

 

Prej tij... e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri. Ef 4,16

 

Jezus, ti je fillimi i çdo të mire e të bukure! Kisha, trupi yt, merr nga ty forcë, aftësi e impulsin për t’u maturuar, për të qenë e bashkuar, për të sjellë në botë dashurinë e Atit. Bekoje sot Kishën tënde, bekomë edhe mua, që në të, të jetë një gjymtyrë që të sjellë fryt, frytin e shenjtërimit!

 

 

23/10 E DJELA XXX K.GJ.V. [II]

Sh. Gjoni nga Kapistrani meshtar † 1456

Sir 35, 12-14.16-18(15-17.20-22); Ps 33; 2Tim 4,6-8.16-18; Lk 18,9-14

 

O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin! Lk18,13

 

Jam me të vërtetë mëkatar. Është e vërtetë se nuk kam vrarë asnjë, por është e vërtetë se nuk kam dashur asnjë siç do ti; i kam lënë vend zemërimit, çka do të thotë të jesh idhujtar; kam parë ndokënd me epërsi e ndokënd tjetër me sugjestionin e inferioritetit, d.m.th. nuk i kam parë të tjerët si bijtë e tu, të merituar në stimë, por edhe mëkatarë. Ki mëshirë për mua edhe sot!

 

 

24/10 E HËNË XXX K.GJ.V. [II]

Sh. Antoni Maria Klaret ipeshkëv † 1870

Ef 4,32 - 5,8; Ps 1; Lk 13,10-17

 

Përngjajini Hyjit porsi bij të dashur

Ef 5,1

 

Si mund ta imitoj Hyjin? Në çfarë duhet ta imitoj atë? A mundem unë, mëkatar, të bëj ndonjë gjë të ngjashme me atë çfarë bën Hyji? Nëse mendoj për Hyjin e fuqishëm, nuk mundem as edhe t’ia nis. Por nëse mendoj për atë Hyj që Jezusi na ka zbuluar, për Hyjin Atë, Hyjin dashuri, atëhere po, mundem ta imitoj. Do të provoj t’i qesh njeriut të parë që do të takoj, për ta parë me dashamirësi njeriun e parë të trishtuar që do shikoj … e do të jem imituesi i Hyjit!

 

 

25/10 E MARTË XXX K.GJ.V. [II]

Sh. Tabita

Ef 5,21-33; Ps 127; Lk 13,18-21

 

Duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën Ef 5,25

 

Burrat kanë një detyrë hyjnore. Do ta duan gruan e tyre me atë dashuri me të cilën Jezusi është dhuruar për Kishën. Do të duan me gëzim, duke ditur se në të tillë mënyrë do t’i bëjnë nder Jezusit. Do të duan duke kërkuar të mohojnë veten e tyre, që të përdorin delikatesën e butësinë, fryt i lutjes së tyre.

 

 

26/10 E MËRKURË XXX K.GJ.V. [II]

Sh. Valeriani

Ef 6,1-9; Ps 144; Lk 13,22-30

 

Dëgjojini... në thjeshtësinë e zemrës Ef 6,5

 

Bindja bën pjesë në jetën e krishterë, pasi Jezusi na paraqitet ne, gjithmonë si i binduri. Ai i bindet Atit, dhe e bën këtë duke iu bindur prindërve të vet, njerëzve që takon, nevojave të njerëzve që vuajnë. Edhe ne do të jetojmë dashurinë tonë për Hyjin e dashurinë tonë për të afërmin me përvujtëri, e do të gjendemi për t’u bindur. Të bindesh nuk është turp, sepse është një hap përpara drejt dashurisë së vërtetë.

 

 

27/10 E ENJTE XXX K.GJ.V. [II]

Sh. Sabina

Ef 6,10-20; Ps 143; Lk 13,31-35

 

Merrni... shpatën e Shpirtit Shenjt, d.m.th. Fjalën e Hyjit! Ef 6,17

 

Sh. Pali guxon të përshkruajë jetën e krishterë si një luftë: besimtari duhet për këtë arsye të prezantohet i armatosur. Ekzistojnë armët e mbrojtjes, por është e nevojshme edhe shpata, arma që i shkakton frikën armikut dhe e bën të zbrapset e të ikë. Kjo armë është Fjala e Hyjit. Jezusi vetë, në shkretëtirë ndaj tunduesit, e ka paraqitur tri herë këtë shpatë, e tunduesi është larguar.

 

 

28/10 E PREMTE SH. SIMONI dhe

  1. JUDA Apostuj [P]

Ef 2,19-22; Ps 18; Lk 6,12-19

 

Prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd   Lk 6,19

 

Shumë të sëmurë, para se të kërkojnë mjekun o spitalin, i afrohen Jezusit. E kur mjeku nuk ia del të shërojë, besimi në Jezusin rritet, bëhet lutje ngulmuese, serioze, deri premtim për një ndryshim jete. Nga Jezusi nuk mund të vijë tjetër veç shërimit, e jo vetëm ai i trupit!

 

 

29/10 E SHTUNË XXX K.GjJV. [II]

Sh. Ermelinda

Fil 1,18-26; Ps 41; Lk 14,1.7-11

 

Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë Fil 1,21

 

Të jetosh dhe të vdesësh. Dy fjalë të kombinuara. Vallë kur jetoj me të vërtetë? Kur Jezusi është në mua e me mua. Mua më pëlqen të jetoj kur jam i bashkuar me të. E atëherë, si Shën Pali, dëshiroj të jem i bashkuar me të pa asnjë pengesë. Kjo do të jetë e mundur plotësisht pas vdekjes. Për këtë apostulli thotë se vdekja është një fitesë, sepse vdekja është dera që hapet, sepse takojmë dashurinë e Jezusit të tërën e për gjithmonë.

 

 

30/10 E DJELA XXXI K.GJ.V. [III]

Sh. Marçeli

Ur 11,22 - 12,2; Ps 144; 2Sel 1,11 - 2,2;

Lk 19,1-10

 

Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde! Lk 19,5

 

Jezusi vetëftohet në shtëpinë e Zakeut, sepse ka parë dëshirën e tij të sinqertë dhe të vendosur për ta takuar, për ta parë, për ta njohur. Zoti çmon gjithmonë dhe plotëson gjithmonë dëshira si kjo!

 

 

31/10 E HËNË XXXI K.GJ.V. [III]

Sh. Alfonsi

Fil 2,1-4; Ps130; Lk 14,12-14

 

Ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, Fil 2,2

 

Apostulli shfaq këtë dëshirë të tij ndaj të krishterëve të qytetit të Filipit. Është çështja më e vështirë për një bashkësi që të jetojë në bashkim. Është e vështirë, sepse të kushton të heqësh dorë për të mbrojtur vetveten, të kushton sepse kërkon përvujtëri. Nuk është e vështirë nëse shikojmë gjithmonë Jezusin: ai në fakt është ulur, boshatisur prej vetvetes, për t’iu bindur Atit deri në vdekjen e kryqit. Do ta shikosh në Jezusin dhe do ta imitosh atë edhe në këtë.

 

In primo piano