ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 ago 2020
08 Gusht 2020

08 Gusht 2020

1/8  E SHTUNË  XVII° GJ. V. [I]                                                 (p: Sh. Alfons M. de’ Liguori, ip. e mës. i K.., † 1787)

Jer 26,11-16.24; Ps 68; Mt 14,1-12  

Me të vërtetë Zoti më dërgoi  Jer 26,15

Kështu flet Jeremia, kur, pasi e thirri popullin për shkak të sjelljes së tyre të keqe, ishte gati duke përfunduar në vdekje. Dje, sikurse sot, profetët  e vërtetë janë të përndjekur nga njeriu mëkatar. Me hirin e Shpirtit Shenjt do të jemi të guximshëm, për t’i thënë fjalët e shenjta të Hyjit; do të jemi të përvuajtë që të lihemi të korigjohemi dhe plazmohemi prej tyre.

 

2/8  E DIEL  XVIII° GJ. V. Viti A [II] 

Is 55,1-3; Ps 144; Rom 8,35.37-39; Mt 14,13-21  

Pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre   Mt 14,14

Ti, o Jezus, je “Hyji me ne”, me të vërtetë i dhembshëm. Je gati të ndryshosh program kur shikon që të kërkojmë, nevojtarë për fjalën Tënde e të ndihmës Sate, dhe na ngren nga mjerimet tona. Ti sot do të jesh i pranishëm në Meshën e Shenjtë: dëshirojmë të vijmë të të takojmë.

 

3/8  E HËNË  XVIII° GJ. V. [II] 

Jer 28,1-17; Ps 118; Mt 14,22-36  

Kur t’i plotësohet fjala, atëherë do të dihet se është profet  Jer 28,9

Profeti Jeremia, me këto fjalë mbrohet nga profeti i rremë Anania, që donte ta dëbonte. Jeremia, në fakt, profetizonte fatkeqësi për popullin, ndërsa ai, Anania profetizonte paqe. U plotësua fjala e Jeremisë, i njohur kështu si profet i vertetë e i dërguar prej Hyjit. O Jezus, na dhuro hirin që të bindemi Ty, që je Fjala e vërtetë e Atit për ne.

 

4/8  E MARTË  XVIII° GJ. V. [II]                     (p: Sh. Gjon M. Vianney, mesh., † 1859)

Jer 30,1-2.12-15.18-22; Ps 101; Mt 15,1-2.10-14  

Ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj  Jer 30,22

Pasi i kishte ndëshkuar rebelët e popullit të Vet, Hyji i fashon plagët e tyre dhe i bën besimtarë. Kur largohemi prej Zotit, ndëshkohemi nga vetë ne, por Ai është gati për të na shëruar dhe mirëpritur akoma. Faleminderit, o Jezus, për dashurinë Tënde besnike dhe të mëshirshme. Faleminderit për Shën Gjon M. Vianney, që vazhdon të na nxisë për t’u kthyer tek Ti!

 

5/8  E MËRKURË XVIII° GJ. V. [II]                            (pf: Kushtimi i Bazilikës  së Shën Marisë Virgjër)

Jer 31,1-7; Ps nga Jer 31,10-13; Mt 15,21-28  

Shpëtoje, o Zot, popullin tënd  Jer 31,7

Profeti Jeremia e fton popullin të shpresojë dhe ta njohë dashurinë besnike të Hyjit të Vet. Ai – Hyji – do ta tregojë plotësisht Veten në Jezu Krishtin, dhe do të jetë një dashuri e drejtuar jo vetëm Izraelit, populli i zgjedhur, por të gjithë popujve. Ungjilli i Meshës së sotme na e konfirmon. Gruaja pagane, në fakt, admirohet prej Jezusit dhe, për fenë e “madhe” që shpreh, menjëherë i plotësohet lutja!

 

6/8  E ENJTE  SHNDËRRIMI I ZOTIT [P] 

Dan 7,9-10.13-14; Ps 96; 2Pjt 1,16-19; Mt 17,1- 9

S’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm   Mt 17,8

Faleminderit, o Jezus: duke qëndruar me Ty, me dashuri, në një vend të vetmuar, Ti bëhesh gjithnjë e më i njohur, duke i shkëlqyer zemrës sonë. Faleminderit për çdo iniciativë Tënden të dashurisë për ne: Ti je jeta, Drita e vërtetë për të gjithë.

 

7/8  E PREMTE  XVIII° GJ. V. [II]                         (pf: Sh. Siksti II, papë dhe Shokët martirë, † 258; Sh. Gaetani, mesh., † 1547)

Nah 2,1.3; 3,1-3.6-7; Ps nga Lp 32,35-41; Mt 16,24-28  

Ja mbi male këmbët e sihariqtarit, të atij që paqen kumton   Nah 2,1

Me të vërtetë qofshin të bekuara hapat e atyre që shpallin Ty, o Jezus! “Mbi male”, përtej ndjenjave, xhelozive dhe dorështrëngimeve, që bëjnë pis tokën, ata dinë të ofrojnë Ty, ndërsa fal, ndërsa me dashurinë Tënde ndriçon dhe shëlbon. Me të vërtetë ata shpallin paqen e vërtetë, harmoninë me Atin dhe me vëllezërit!

 

8/8  E SHTUNË  XVIII° GJ. V. [II]                        (p: Sh. Domeniku, mesh., † 1221)

Hab 1,12 - 2,4; Ps 9; Mt 17,14-20  

O brezni e pafe dhe e prishur, deri kur do të jetoj mes jush?  Mt 17,17

Jezusi vuan, kur shikon që nuk kemi fe në Të, i dërguar nga Ati të na shëlbojë prej çdo situate që na shtyp. Kur, përkundrazi, shikon besimin e plotë në Të, Ai na liron me mëshirën dhe pushtetin e Tij.
O Jezus, unë besoj në Ty.

 

9/8  E DIEL XIX° GJ. V. Viti A [III] 

1Mbr 19,9.11-13; Ps 84; Rom 9,1-5; Mt 14,22-33  

Guxim, jam unë, mos kini frikë         Mt 14,27

Shpesh, kur punoj në kuzhinë, jam i shqetësuar të mos arrij në kohë të përgatis gjithçka. Ama, kërkoj të kem besim në praninë e Jezusit dhe të mos druhem, sikurse thotë Ai. E falënderoj, sepse më bën të gatshëm që të di t’i pranoj paaftësitë e mia të shpeshta pa u ankuar. Dhe mësoj nga të ftuarit, që presin dhe përmbahen me duresë. Me Jezusin e pranishëm nuk ka vend për frikë!

 

10/8  E HËNË  SH. LORENCI  [P]                (Diakon  e martir, † 258)

2Kor 9,6-10; Ps 111; Gjn 12,24-26  

Secili le të japë aq sa ia do zemra 2Kor 9,7

Shën Lorenci ka ndjekur shembullin e Jezusit: ka dhënë jetën e tij për t’u shërbyer të varfërve dhe gjakun e tij për të qenë besnik ndaj Zotit. Në fakt, Jezusi, si pasanik që ishte, u bë i varfër për ne. Je Ti, o Jezus, që mund të na japësh një zemër bujare drejt të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë.

 

11/8  E MARTË  XIX° GJ. V. [III]                              (p: Sh. Klara, virgj., † 1253)

Ez 2,8 - 3,4; Ps118; Mt 18,1-5.10.12-14  

Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi   Mt 18,4

O Jezus, Ti je bërë fëmijë, gjithnjë u je bindur prindërve të Tu dhe Atit Tënd qiellor, duke mirëpritur edhe kryqin për dashurinë ndaj Tij; ma dhuro hirin që t’i ndjek gjurmët Tuaja. Mësoj prej fëmijëve që të di ta pranoj vogëlsinë time.

 

12/8  E MËRKURË  XIX° GJ. V. [III]                          (pf: Sh. Joana Fr. de Chantal, rreg., † 1641)

Ez 9,1-7;10,18-22; Ps 112; Mt 18,15-20  

Çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell   Mt 18,18

Jezusi po i flet bashkësisë së dishepujve të Tij. Atë e shtyn që të jenë të bashkuar, të pajtueshëm, në harmoni njëri me tjetrin: në këtë mënyrë do të tregojnë bukurinë e jetës së Vetë Hyjit, Ati i bashkuar me Birin, Biri i bindshëm ndaj Atit dhe Shpirti që derdh dashurinë e Tyre mbi krejt krijesën. Kur ata do të jenë të bashkuar, Vetë Hyji do të veprojë nëpërmjet tyre dhe do të vendosë vulën e dashurisë së Tij hyjnore mbi atë që do të bëjnë.

 

13/8  E ENJTE  XIX° GJ. V. [III]                     (pf: Sh. Ponciani, papë, e Sh. Ipoliti, mesh., mart., † 235)

Ez 12,1-12; Ps 77; Mt 18,21-19,1  

Zotëria ia fali detyrimin   Mt 18,27

Faleminderit, o Jezus, që më ke falur shumë dhe madje, shumë herë, dhe për këtë ke vuajtur mundimin e kryqin. Dëshiroj të mësoj prej Teje që të vuaj dhe të fal: me hirin Tënd do të rri në dëgjimin e ëmbël të Shpirtit Shenjt.

 

14/8  E PREMTE  XIX° GJ. V. [III]                            (p: Sh. Maksimilian M. Kolbe, mesh. e mart., † 1941)

Ez 16,1-15.60.63 (më i shkurtë 16,59-62); Is 12,2-6; Mt 19,3-12

Unë do të bëj besëlidhje me ty          Ez 16,62

Sot përkujtojmë shën Maksimilian M. Kolbe, martir gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dashuria për Jezusin e ka shtyrë që ta ofrojë veten drejt vdekjes në vend të një babai familjeje. Ky gjest i tij na thotë se sa e rëndësishme është familja për Zotin! Pikërisht sot na e kujton edhe Jezusi Vetë. Që të shpëtojnë bashkimin e të martuarve, ata vetë duhet të jenë gati ta mbartin kryqin.

 

15/8  E SHTUNË  TË NGRITURIT E SH. MARISË VIRGJËR NË QIELL [P] 

Ap 11,19;12,1-6.10; Ps 44; 1Kor 15,20-27; Lk 1,39-56  

Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim   Lk 1,47

Maria i ka shqiptuar këto fjalë në fillimin e ecjes së jetës së re të sajën, jetë e angazhuar jo për vetveten, por për të realizuar dëshirën e Atit. Ajo sot, mund të brohorasë me të vërtetë, sepse i është dhënë përmbushja e shëlbimit të shumëpritur dhe të dëshiruar. Ne e falënderojmë për besnikërinë e saj ndaj Hyjit që i ka folur, dhe ne, duke besuar në të, lëmë të rritet gëzimi ynë në të parë që Hyji është besnik dhe do të na japë edhe neve çmimin e Tij për besnikërinë tonë ndaj Atij.

 

16/8  E DIEL  XX° GJ. V. Viti A [IV] 

Is 56,1.6-7; Ps 66; Rom 11,13-15.29-32; Mt 15,21-28   

Le të bëhet ashtu si dëshiron                Mt 15,28

Sa e bukur është kjo përgjigje e Jezusit! Çfarë ka bërë ajo grua që ta meritojë? Ka qenë e vendosur, e vendosur në besimin e saj për të kërkuar, e vendosur në të qenurit e përvuajtë. Pikërisht përvuajtëria, që pranon përvuajtërinë që ta ndjejë veten ta krahasojë me qentë, kjo përvuajtëri bën në mënyrë që të fitojë çlirimin e vajzës së saj prej djallit. E në fakt, djalli nuk qëndron në shtëpinë e njërëzve të përvuajtë.

 

17/8  E HËNË  XX° GJ. V. [IV] 

Ez 24,15-24; Ps nga Lp 32,18-21; Mt 19,16-22  

Shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur thesar në qiell          Mt 19,21

Propozimi i Jezusit është shumë kërkues. Është përgjigjja e një pyetje shumë të saktë: “Çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Zbatimi i urdhërimeve është hapi i parë, që të vëndos në pragun e jetës së plotë, të amshuar. Për të hyrë… është e nevojshme të hysh në zemrën e Atit, ku është Jezusi. Dhe hyhet nëpër derë të ngushtë, pra pa bagazhe. Kjo, nëse ka ndonjë gjë që mund të bëhet, është që duhet për të patur dashuri për të varfërit e Hyjit!

 

18/8  E MARTË  XX° GJ. V. [IV]                              (Sh. Agapiti, mart., † 274)

Ez 28,1-10; Ps nga Lp 32,26-28.30.35-36; Mt 19,23-30  

Porse Hyji mund të bëjë gjithçka     Mt 19,26

Jezusi vazhdon mësimin e djeshëm. Për njerëzit është e pamundur të mos dëshirohet pasuria, por ama, nëse ndërhyn hiri i Atit, ata do të dëshirojnë Jezusin. E kush dëshiron Jezusin nuk i mban më pasuritë si thesare të zemrës: Jezusi e mbush në mënyrë të atillë, saqë nuk ngelet më vend për tjetër gjë!

 

19/8  E MËRKURË  XX° GJ. V. [IV]                                           (pf: Sh. Gjoni Eudes, mesh., † 1680)

Ez 34,1-11; Ps 22; Mt 20,1-16  

Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia   Ez 34,11

Hyji i kërkon delet e Veta, bijtë e Tij që janë shpërndarë dhe rrezikojnë të humbasin. Ai i kërkon nëpërmjet Jezusit. Dhe Jezusi përdor të gjitha “dredhitë” e mundshme. E dëgjojmë një falë të shëmbëlltyrës së punëtorëve të papunë. Dashuria e Jezusit është kaq e madhe, saqë i mirëpret të gjithë, në çfarëdolloj ore, e të gjithëve u dhuron maksimumin: paqen e zemrës në bashkim me Të.

 

20/8  E ENJTE  XX° GJ. V. [IV]                      (p: Sh. Bernardi, abat e mës. i K., † 1153)

Ez 36,23-28; Ps 50; Mt 22,1-14  

Një shpirt të ri do ta fus në ju  Ez 36,26

Profeti Ezekiel tregon se si bën Hyji për ta shenjtëruar Emrin e Tij. E bën duke i bashkuar anëtarët e popullit të Tij, të shpërndarë mes paganësh. Pastaj i duhet t’i pastrojë nga idhujtaritë prej të cilëve janë të ndikuar. Dhe në fund, u dhuron atyre një jetë të re, një frymë të re, një shpirt të ri, të Tijin. Në këtë pikë, jeta e tyre dëshmon shenjtërinë e Emrit të Hyjit!

 

21/8  E PREMTE  XX° GJ. V. [IV]                             (p: Sh. Piu X, papë, † 1914)

Ez 37,1-14; Ps 106; Mt 22,34-40 

Ju do ta dini se unë jam Zoti   Ez 37,14

Njerëzit, pa Shpirtin e Shenjtë, janë të gjithë të vdekur, kocka të thata pa jetë. Ndërsa qëndrojnë pranë Jezusit, marrin frymë Shpirtin Shenjt, fillojnë të jenë në gëzim dhe në dashurinë reciproke. Dhe atëherë, fillojmëduke jetuar jetën e njëjtë të Tijën, duke kuptuar që Hyji është me të vërtetë i denjë që t’i bindemi dhe ta lëvdojmë si Zot.

 

22/8  E SHTUNË  XX° GJ. V. [IV]                           (p: Virgjëra Mari Mbretëreshë)

Ez 43,1-7; Ps 84; Mt 23,1-12  

Mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit   Ez 43,5

Në Jezusin, tempulli i vërtetë i Hyjit Atë, prania e vërtetë e Tij mes njerëzve, mund ta kundrojmë lavdinë e Tij; të përvuajtët dhe të vegjlit dinë ta njohin, sepse Jezusi është mëshira, urtia, paqja, dashuria e pafundme e Atit qiellor. Do ta shikoj Atë se si Ungjijtë ma paraqesin, mbi të gjitha mbi kryq.

 

23/8  E DIEL  XXI° GJ. V. Viti A [I] 

Is 22,19-23; Ps 137; Rom 11,33-36; Mt 16,13-20  

Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit   Mt 16,19

Me këto fjalë Jezusi autorizon Pjetrin që të hapë dhe të mbyllë hyrjen në Mbretërinë e qiejve. Më vijnë në mendje, kushedi përse, të rinjtë që kalojnë orë e orë në diskotekë të mbyllur. Atyre, Pjetri mund t’ua hapë dyert, që të mbërrijnë aty ku do të gjenin lumturinë që kërkojnë, ku  Jezusi do t’i mbushte me gëzimin për të qenë të dashur dhe për të dashur nga ana e tyre në mënyrë të mrekullueshme, ku do t’i bënte të kërcenin një muzikë të re dhe sytë e tyre do të bëheshin fenerë drite të shkëlqyer!

 

24/8  E HËNË  SH. BARTOLOMEU, Ap. [P] 

Ap 21,9-14; Ps 144; Gjn 1,45-51  

Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik   Gjn 1,48

Me këto fjalë, Jezusi i përgjigjet Bartolomeut që e pyeste: ”Nga më njeh?”. Shprehja “nën pemën e fikut” korrespondonte me thënë: ”Në studimin e kujdesshëm të Shkrimit”!
Besoj, o Jezus, që Ti na sheh gjithmonë dhe gëzohesh kur i kushtohemi dëgjimit të Fjalës Sate për ta jetuar. Faleminderit për shikimin Tënd të dashurisë për mua.

 

25/8  E MARTË  XXI° GJ. V. [I]                  (pf: Sh. Ludoviku, † 1270; Sh. Jozefi de Kalasanz, mesh., † 1648)

2Sel 2,1-3.13-17; Ps 95; Mt 23,23-26  

Sepse Hyji ju zgjodhi që prej fillimit për shëlbimin   2Sel 2,13

Duke folur me një person që e deklaron veten ateist, e dëgjoja atë që pohonte për sa i përket kërkimit të tij për domethënien e jetës. I jepte shumë rëndësi vlerës së familjes së formuar nga bashkimi i burrit dhe gruas për të patur fëmijë, vlerës së punës dhe për të jetuar në mirënjohje. E kam falënderuar Jezusin, që e ka dërguar Kishën për të mbjell Fjalën e Tij, që sjell fryt edhe në ata që ende nuk besojnë në Të.

 

26/8  E MËRKURË  XXI° GJ. V. [I]   

2Sel 3,6-10.16-18; Ps 127; Mt 23,27-32  

Dhe vetë Zoti që jep paqen, jua dhëntë paqen   2Sel 3,16

Je Ti, o Jezus, Zoti i paqes. Duke qëndruar të bashkuar me Ty, sikurse shermendët me hardhinë, marrim shpirtin Tënd të dashurisë, burim paqeje edhe në fatkeqësi. Faleminderit që je përgjithmonë.

 

27/8  E ENJTE  XXI° GJ. V. [I]                       (p: Sh. Monika, † 387)

1Kor 1,1-9; Ps 144; Mt 24,42-51  

Sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka ‑ në çdo fjalë e në çdo dije  1Kor 1,5

Duke menduar për dhuratën dhe për pasurinë e Fjalës së Hyjit, mbaj mend që kur isha i ri e kisha të vështirë që të ndalesha e të lexoja ndonjë rresht: më ishte pothuajse e pamundur! Pasi e kam njohur Jezusin në mënyrë të re, përkundrazi, e ndjeja të nevojshme. Kam filluar ta lexoj me interes, të meditoj Ungjillin, duke gjetur aty dritë për zgjedhjet e mia dhe sjelljet e mia të përditshme.

 

28/8  E PREMTE  XXI° GJ. V. [I]                              (p: Sh Agustini, ip. e mës. i K., † 430)

1Kor 1,17-25; Ps 32; Mt 25,1-13  

Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar  1Kor 1,23

Ka nga ata që kërkojnë dijen njerëzore dhe nga ata që kërkojnë mrekulli, thotë shën Pali, por ajo që sjell në ne jetën e vërtetë dhe dijen, është vetëm Jezusi, me jetën e Tij, vdekjen dhe ringjalljen.
Faleminderit, o Jezus, që je i pranishëm në Kishën Tënde për të na dhururar urtinë dhe jetën Tënde.

 

29/8  E SHTUNË  Martirizimi i Sh. Gjon  Pagëzuesit  [P] 

Jer 1,17-19; Ps 70; Mk 6,17-29  

Sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj   Jer 1,19

Janë fjalë që i drejtohen profetit Jeremia nga Zoti, i urdhëruar prej Tij që të ftojë popullin në kthim. Nëse Jezusi më beson mua apo ty një mision, Ai jep edhe forcën dhe mbrojtjen e Vet për ta realizuar atë.
Me hirin Tënd, o Jezus, ja ku jam, për Ty.

 

30/8  E DIEL  XXII° GJ. V. Viti A [II] 

Jer 20,7-9; Sal 62; Rom 12,1-2; Mt 16,21-27  

Ai që e bjerr jetën e vet për shkak timin, do ta gjejë  Mt 16,25

Me disa miq, ndërsa po merrja pjesë në mbledhjen e letrave dhe xhamave për një iniciativë misionare, duhej të kaloja përpara vendit të punës sime. Sigurisht që ndonjë koleg duhet të më ketë parë. Isha i tunduar të ndërroja rrugë që të mos bija në sy, por Fjala e Jezusit: ”Çkado e bëtë për këta më të vegjlit, ma keni bërë mua”, më ka dhënë kurajo të vazhdoja. Menjëherë kam provuar një çlirim të ri nga gjykimi i njerëzve.

 

31/8  E HËNË  XXII°  GJ. V. [II] 

1Kor 2,1-5; Ps 118; Lk 4,16-30  

Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë   1Kor 2,3

Shën Pali, i thirrur prej Jezusit për të shpallur Ungjillin e Tij, u thotë të krishterëve të Korintit që të mos i marrin parasysh cilësitë njerëzore, por vetëm të ndihmës së Shpirtit Shenjt, që vepron në ne edhe kur e ndjejmë veten të paaftë.
Faleminderit, o Shpirt Shenjt: je Ti forca për të shpallur Ungjillin.

In primo piano