ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 ott 2019
10 Tetor 2019

10 Tetor 2019

1/10  E MARTË XXVI GJ.V. [II]

(p: Sh. Tereza e Jezusit Fëmijë, virgj. dhe mës. e K., †1897)

Zak 8,20-23; Ps 86; Lk 9,51-56

Kemi dëgjuar se Hyji është me ju  Zak 8,23

 

Në këtë profeci të Zakarisë, paganët janë të tëhequr drejt Hebrenjve, sepse shohin rregullin dhe paqen që mbretëron mes familjeve dhe në shoqërinë e tyre. Urdhërimet, që Hebrenjtë jetojnë, i japin popullit siguri dhe stabilitet. Mes tyre përhapet gëzimi në momentet e lutjes. Kështu, edhe Kisha është një vend tërheqjeje në botë.

 

2/10  E MËRKURË ENGJËJT E ROJËS

 (m) [P]

Dl 23,20-23; Ps 90; Mt 18,1-5.10

Jezusi thirri një fëmijë  Mt 18,2

 

T’i kujtojmë sot engjëjt rojës. Janë shenja konkrete e dashurisë me të cilët Hyji ndjek jetën e secilit prej nesh, që kur jemi të vegjël. Jezusi e konfirmon për sa i përket fëmijëve: engjëjt e tyre qëndrojnë para Hyjit ditë e natë. Prandaj, do ti duash edhe ti fëmijët, dhe të bëhesh fëmijë si ata që të jesh i madh, për të shijuar, d.m.th., shikimin e Hyjit të vëndosur mbi ty.

 

3/10  E ENJTE XXVI GJ.V. [II]

Neh 8,1-4.5-6.7-12; Ps 18; Lk 10,1-12

Gëzimi i Zotit është fuqia juaj  Neh 8,10

 

Jezusi i dërgon dishepujt që të shpallin praninë e mbretërisë së Hyjit, lajmi i bukur, që i lumturon zemrat. Ata vetë do të ngazëllehen prej gëzimit, sepse që tani e gëzojnë të qenurit të Jezusit. Do të jetë ky gëzim që do t’u transmetojë atyre gëzim për të vazhduar shpalljen.

 

4/10  E PREMTE SH. FRANÇESKU I ASIZIT, († 1226), Pajtor i Italisë (p) [P]

Gal 6,14-18; Ps 15; Mt 11,25-30

Ati më dorëzoi mua gjithçka  Mt 11,27

 

Ta falënderojmë Jezusin për Shenjtërit e tij, për ata që janë ofruar të sjellin në mes të njerëzve shenjtërinë e Hyjit. Shën Fraçesku, pikërisht për këtë, është akoma i admiruar dhe i dëshiruar. Ai ka vëndosur në qendër Jezusin, që i ka lejuar të mbartë damkën e pesë plagëve në trupin e tij, stigmatat. Kështu, ka mundur t’i thotë: «O Jezus, Ati të ka dhënë edhe ty jetën time, shpirtin tim dhe trupin tim!».

 

5/10  E SHTUNË XXVI GJ.V. [II]

Bar 4,5-12.27-29; Ps 68; Lk 10,17-24

Guxim, bijtë e mi, thirreni në ndihmë Hyjin  Bar 4,27

 

Ky inkurajim na jepet nga sekretari i profetit Jeremia, por edhe ky vetë profet i Hyjit. Që në fillim ai shpjegonte  përse gjithë kjo vuajtje në të cilën populli ka rënë kaq poshtë: “Sepse e zemëruat Krijuesin tuaj, duke u flijuar djajve e jo Hyjit“. Ama, ai nuk don që të dëshpërohen: në qoftë se rifillojnë një jetë bindjeje ndaj Hyjit, ai vetë do t’i bekojë.

 

6/10  E DIEL XXVII GJ.V. Viti C [III]

Hab 1,2-3; 2,2-4; Ps 94; 2Tim 1,6-8.13-14; Lk 17,5-10

Jemi shërbëtorë të pavlefshëm  Lk 17,10

 

Shërbëtorët nuk janë kurrë të pavlefshëm. Ama, ata janë gjithmonë shërbëtorë: karakteristika e tyre është që i bën të pranueshëm atyre të cilëve u bëjnë shërbim, është gadishmëria e përvujtë. Në këtë mënyrë, zotërojnë zemrën e padronit të tyre. Në qoftë se do të krenoheshin ose të pretendonin diçka, do të bëheshin të papëlqyeshëm. Është pasuri e madhe dhe krenari e madhe për ne të mund të themi shërbëtorë të Hyjit, mbi shembullin e Marisë!

 

7/10  E HËNË XXVII GJ.V. [III]

(p: E lumja Mari Virgjër e Rruzares; Sh. Bruno, mesh.)

Jb 1,1 – 2,1.11; Ps: Jb 2,3-5.8; Lk 10,25-37  (ose Vap 1,12-14; Lk 1,46-55; Lk 1,26-38)

Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?  Lk 10,25

 

Sa pyetje e bukur! Jezusit i ka pëlqyer. Tregon që ai tipi që ia ka bërë këtë pyetje ka vënë re që ende nuk është krejt i kënaqur. Edhe kishte pasuri! E din se si i është përgjigjur Jezusi? I ka thënë: zgjidh mes pasurisë sate dhe meje. Nëse unë nuk mund ta zë vendin krejt në zemrën tënde, ti s’mund të kesh jetë të plotë!

 

8/10  E MARTË XXVII GJ.V. [III]

Jb 3,1-10; Ps 129; Lk 10,38-42

Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe  Jon 3,10

 

Hyji nuk i mban sytë mbyllur. Ai e sheh të keqen që bëjmë, por i sheh edhe hapat tanë të kthimit, siç i ka pa ato të paganëve të Ninivës. E Jezusi i ka kërkuar edhe Martës, që e donte, që të preferonte një dashuri më të thellë, të vëmendshme, jo para së gjithash ndaj nevojave të trupit të të grishurve të saj, por më tepër ndaj dëshirave të bashkimit të tyre të brendshëm.

 

9/10  E MËRKURË XXVII GJ.V. [III]

(pf: Sh. Dionizi, ip., dhe Shokët, martirë, † shek. III; Sh. Gjon Leonardi, mesh., † 1609)

Jb 4,1-11; Ps 85; Lk 11,1-4

Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi  Lk 11,1

 

Kësaj kërkese, Jezusi nuk i ka thënë: ‘Po ju tashmë jeni të aftë!’ dhe as: ‘Bëni siç keni bërë gjithmonë!’, por as: ‘Nuk do të mësoni kurrë!’. Ai, përkundrazi, i ka mësuar menjëherë, shenjë që, të lutesh, mësohet, e prandaj që është e dobishme të kërkohet një shkollë lutjeje!

 

 

10/10  E ENJTE XXVII GJ.V. [III]

Mal 3,13-20; Ps 1; Lk 11,5-13

Unë do t’i përdëllej siç e fal njeriu djalin e vet që i shërben  Mal 3,17

 

Përmes profetit Malaki, Zoti i qorton ata që blasfemojnë duke u thënë që është e kotë t’i mbajnë urdhërimet. Por Zoti i sheh edhe ata që e druajnë dhe i binden. Megjithëse vuajnë për padrejtësitë e të mosbindurve, ata kanë besim të madh në besnikërinë e Hyjit, që nuk i harron kurrë!

 

11/10  E PREMTE XXVII GJ.V. [III]

(pf: Shën Gjoni XXIII papë)

Jl 1,13-15;2,1-2; Ps 9; Lk 11,15-26

Kush nuk është me mua, është kundër meje  Lk 11,23

 

Pasi ishte mbrojtur nga akuza që ndihmohej prej djallit, Jezusi i paralajmëron nga një rrezik. Kush arrin ta largojë djallin prej vetes, s’është akoma i sigurt, sepse e keqja kërkon të kthehet. Është e nevojshme të fusim brenda nesh një më të fortë se ai. Më shumë se sa të shqetësohesh për të larguar djallin, shqetësohu që të kesh Jezusin të qëndrueshëm në zemër!

12/10  E SHTUNË XXVII GJ.V. [III]

Jl 4,12-21; Ps 96; Lk 11,27-28

Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!  Lk 11,28

 

Është lumturia e jetuar prej Marisë, falë asaj ajo është bërë nëna e Jezusit. Dhe ne, le të vihemi e të mësojmë nga ajo, me gëzim e besim. Duke dëgjuar Fjalën e Hyjit dhe duke kërkuar ta jetojmë, zemra jonë mbushet me gëzim, në mënyrë të pashpjegueshme!

 

13/10  E DIEL XXVIII GJ.V. Viti C [IV]

2Mbr 5,14-17; Ps 97; 2Tim 2,8-13; Lk 17,11-19

Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët?  Lk 17,17

 

Sa e lehtë është të harrohen të mirat e marra! Dhe sa e lehtë është të harrojmë bamirësin! Sa herë më ka falur Jezusi! Dhe sa herë i ka shëruar marrëdhëniet e mia me të tjerët! Sot dua ta falënderoj dhe t’i ofrohem atij, në qoftë se do të dëshironte të më përdorte për të realizuar pak nga dashuria e tij.

 

 

14/10  E HËNË XXVIII GJ.V. [IV]

(p: Sh. Kalisti I, papë dhe mart., † 222)

Rom 1,1-7; Ps 97; Lk 11,29-32

Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Jona  Lk 11,32

 

Jona nuk e jetonte mëshirën e Atit, edhe pse i fton për kthim Ninivasit. Këta nuk janë kujdesur për ngurtësinë e zemrës së tij dhe kanë besuar në fjalët e tij. Janë kthyer. Ti, o Jezus, na tregon mëshirën e Atit, e jeton i pari; a nuk do të të dëgjoj ty, më mirë se sa paganët e Ninivës që kanë dëgjuar Jonën?

15/10  E  MARTË XXVIII GJ.V. [IV]

(p: Sh. Tereza e Avilës, virgj. dhe mës. e K., † 1582)

Rom 1,16-25; Ps 18; Lk 11,37-41

I drejti do të jetojë prej fesë  Rom 1,17

 

Shën Pali nuk ka turp për Ungjillin që shpall. Ai është lajmi i mirë që shëlbon nga trishtimi dhe nga dëshpërimi, i cili mëkatin e hedh poshtë. Prej Ungjillit që mirëpresim, lind feja, ajo fe që na bën të grishur ndaj Hyjit dhe na bën ta jetojmë me gëzim. As unë s’kam turp.

 

16/10  E MËRKURË XXVIII GJ.V. [IV]

(pf: Sh. Hedviga, rregullt., † 1243; Sh. Margarita Maria Alacoque, virgj., † 1690)

Rom 2,1-11; Ps 61; Lk 11,42-46

Sepse Hyji nuk i mban kujt krah  Rom 2,11

 

Hyji nuk të preferon, sepse bën pjesë në një komb, në vend se të një tjetri. Ai nuk shikon etiketën…, por sheh zemrën, në qoftë se ka ose nëse nuk ka mëshirë! Sa gëzim i jep kur e vëndos në veprim mëshirën!

 

17/10  E ENJTE XXVIII GJ.V. [IV]

(p: Sh. Injaci i Antiokisë, ip. e mart., † 107)

Rom 3,21-30; Ps 129; Lk 11,47-54

Njeriu shfajësohet me anë të fesë  Rom 3,28

 

Këtë shpallje, në mënyrë të veçantë, e ka në zemër Pali. Ai ishte Hebre, farise, i rrethprerë, e kishte mbajtur Ligjin në gjërat më të vogla, por e gjithë kjo, nuk i kishte dhënë gëzim, nuk i kishte komunikuar Shpirtin Shenjt! Falë vetëm fesë në Jezusin, ai kishte marrë Shpirtin Shenjt që e ka bërë të mëshirshëm, besnik, të gëzueshëm, dashurues i të gjithëve, i butë, i durueshëm!

 

18/10  E PREMTE  SH. LUKA, UNGJILLTAR (F)[P]

2Tim 4,10-17; Ps 144; Lk 10,1-9

Të korrat janë të mëdha e punëtorë ka pak!  Lk 10,2

 

Shën Luka ka qenë një punëtor besnik dhe i çmueshëm për Mbretërinë e Hyjit. Ka shkruajtur një nga katër Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve. I ka dashur të korrat, ato të korra të bollshme, që duhen mbledhur dhe dërguar Jezusit. Duke parë bollëkun e të korrave, numrin e madh të personave që e presin me dëshirë shpalljen e bukur të Ungjillit, i ofrohemi Zotit për të bashkëpunuar me atë, me gëzim.

 

19/10  E SHTUNË XXVIII GJ.V. [IV]

(pf: Sh. Gjoni nga Brebeuf e Izak Jogues, meshtarë, e Shokët, martirë, shek. XVII; Sh. Pali i Kryqit, mesh., † 1775)

Rom 4,13.16-18; Ps 104; Lk 12,8-12

Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni  Lk 12,12

 

Sa herë jam shqetësuar më kot! Jam shqetësuar të bëj figurë të mirë me fjalimet e mia, që të mos jem i gjykuar keq nga personat që takoja. Do të më kishte mjaftuar t’i besohesha Shpirtit Shenjt! Kur i besohem atij, ai më sugjeron, në çast, atë çka është e dobishme, e nevojshme dhe e dijshme të them për dobishmërinë e atij që dëgjon.

 

20/10  E DIEL XXIX GJ.V. Viti C [I]

Dl 17,8-13; Ps 120; 2Tim 3,14 - 4,2; Lk 18,1-8

Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?  Lk 18,8

 

Shëmbëlltyra mbi nevojshmërinë e lutjes përgjithnjë, pa u lodhur kurrë, më bën të lindë në mua dëshira të vihem përpara Atit për t’i paraqitur nevojat e mëdha të Kishës, dhe për t’ia paraqitur në mënyrë këmbëngulëse, aq sa ta lodh! Ai, ama, sigurisht që nuk lodhet: përkundrazi, ai është i kënaqur, për të parë që feja jonë në Të është e fortë dhe ngulmuese!

 

21/10  E HËNË XXIX GJ.V. [I]

Rom 4,20-25; Psalmi: Lk 1,69-75; Lk 12,13-21

... e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?  Lk 12,20

 

Njeriu është i pamend. Është i pamend ai që projekton magazina gjithnjë e më të mëdhaja, për t’u pasuruar. Është i pamend ai që nuk mban hesapë për të varfërit. Është i pamend ai që mendon vetëm t’i kënaqet pensionit. Të gjithë harrojnë që Hyji është Atë, dhe i bëjnë hesapet dhe projektet pa atë, dhe pa kujtuar që, kushedi nëse nesër do të jenë ende këtu …

 

22/10  E MARTË XXIX GJ.V. [I]

(pf: Sh. Gjon Pali i II)

Rom 5,12.15.17-19.20-21; Ps 39; Lk 12,35-38

Jini gati  Lk 12,35

 

O Jezus, dua të jem gati që të të mirëpres, të të jap mirëseardhjen, të të shërbej me gëzim. S’e di kur do të vish: sonte, për të më kërkuar që të dëgjoj një fëmijë? Apo pas pak, për të më parë nëse e shtrij dorën me mirësjellje atij që po më pret? Ose pasditen, për t’i drejtuar një fjalë ngushëllimi dhe feje një të sëmuri apo dikujt që nuk të bindet?

 

23/10  E MËRKURË XXIX GJ.V. [I]

(pf: Sh. Gjoni nga Kapistrani, mesh., † 1456)

Rom 6,12-18; Ps 123; Lk 12,39-48

Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë  Lk 12,48

 

Pjetri ishte i shqetësuar: kujt i ishte drejtuar shëmbëlltyra e Jezusit? Jezusi nuk shqetësohet: e di që të gjitha fjalët e tija dëgjohen prej secilit sipas situatës së vet dhe sipas aftësisë së vet. Mos u merakos për të tjerët, por vetëm që dëgjimi yt të jetë i kujdesshëm dhe i bindshëm.

 

24/10  E ENJTE XXIX GJ.V. [I]

(pf: Sh. Antoni Maria Claret, ip., † 1870)

Rom 6,19-23; Ps 1; Lk 12,49-53

Jeta e pasosur është dhuratë e Hyjit  Rom 6,23

 

Shën Pali i kundërvihet rrogës së mëkatit ndaj dhuratës së Hyjit. Kjo është jeta e pasosur; ajo, përkundrazi, vdekja. Dhe jeta e pasosur është po ajo, e njëjta jetë që Hyji jeton, jeta e bërë me dashuri të përkryer, e për këtë, me gëzimin e plotë, me kënaqësinë e vërtetë. Do të të shërbej ty, o Atë, dhe filloj menjëherë!

 

25/10  E PREMTE XXIX GJ.V. [I]

Rom 7,18-25; Ps 118; Lk 12,54-59

Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë  Rom 7,25

 

Apostulli e pyet veten se si mund të fitojë mbi prirjet ndaj të keqes dhe mosbindjes që, pa dashje, gjendet brenda. Nuk jemi të dënuar për të bërë të keqen që na tundon përditmërisht nëpërmjet trupit tonë, sepse kemi një shpresë: drita dhe forca që na vijnë nga Jezusi, miku dhe vëllai ynë. Mund ta vëmë shpresën mbi Të!

 

 

26/10  E SHTUNË XXIX GJ.V. [I]

Rom 8,1-11; Ps 23; Lk 13,1-9

Të bësh çka dëshiron Shpirti Shenjt, sjell jetën e paqen  Rom 8,6

 

Mishi ynë, që do të thotë, nevojat tona egoistike, na zvarrisin larg dashurisë së Atit. Në intimitetin tonë më të thellë, ama, ka qenë zbrazur Shpirti, Shpirti Shenjt, dhe kjo na çon tek paqja, qoftë me Hyjin e qoftë me njerëzit. E kërkojmë, e duam, dhe do ta lëmë veten të influencohemi prej tij!

 

27/10  E DIEL XXX GJ.V. Viti C [II]

Sir 35, 12-14.16-18(15-17.20-22); Ps 33; 2Tim 4,6-8.16-18; Lk 18,9-14

O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin  Lk 18,13

 

Vetë Jezusi e vëndos këtë lutje në gojë të mëkatarit. Dhe është një lutje me të cilën Ati gëzohet në mënyrë të veçantë. E përsëris edhe unë, jo për të bërë figurë të mirë dhe as për përvuajtëri të rreme, por sepse janë fjalë të vërteta. Është e vërtetë që unë jam mëkatar, edhe sot. Dhe është e vërtetë që Hyji din të përdorë mëshirë.

 

28/10  E HËNË  SH. SIMONI E JUDA, Ap.       (F) [P]

(Kushtimi i Kishës Katedrale të Lezhës)

Ef 2,19-22; Ps 18; Lk 6,12-19

Jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit  Ef 2,19

 

Shenjtërit apostuj Simon e Judë na ftojnë sot në gëzimin e tyre. Ata na presin në Jerusalemin qiellor, dhe na mbështesin me këngën e tyre në rrugën tonë drejt Jezusit. Është ai, Jezusi, që i ka thirrur së bashku më apostujt e tjerë, dhe është ai që na ka thirrur edhe neve të qëndrojmë me atë, për të patur jetë, ajo jetë që u transmetohet atyre që sot do të takojmë.

 

29/10  E MARTË XXX GJ.V. [II]

Rom 8,18-25; Ps 125; Lk 13,18-21

Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim, atë gjë e presim me qëndresë  Rom 8,25

 

Në këtë jetë, ka vuajtje, e madje shumë. Ne shpresojmë që të kalojnë, por shpresa jonë nuk kufizohet tek kjo: ne shpresojmë që t’i fitojmë ato të mira, që Hyji i ka premtuar atij që e do Jezusin. Ende nuk i shohim: siç nuk shihet fara e kokërrës së senapit, kaq e vogël është, dhe siç nuk shihet majaja në brumë… por që është!

 

30/10  E MËRKURË XXX GJ.V. [II]

Rom 8,26-30; Ps 12; Lk 13,22-30

Vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme  Rom 8,26

 

Jezusi sot na thotë: “Mundohuni të kaloni nëpër derë të ngushtë ”. Përpara nesh shohim mundin dhe kryqin që i paraprin gëzimit të vërtetë. Mbetëm i habitur, dhe nuk e di se me cilat lutje t’i paraqitem Atit. A nuk duhet të kërkoj lehtësim të vuajtjeve? Ato më bashkojnë me Jezusin. Atëherë i besohem Shpirtit Shenjt, që tashmë është i pranishëm në mua: ai i ofron lutjen më të mirë Hyjit, që jeta ime të jetë dhuratë për shumë dhe e pëlqyer Atit.

 

31/10  E ENJTE XXX GJ.V. [II]

Rom 8,31-39; Ps 108; Lk 13,31-35

Asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit  Rom 8,39

 

Sot Jezusi na flet për pëndjekjen, të cilës po i shkon në takim, sepse qyteti i Jerusalemit nuk don ta njohë. Dhe Shën Pali na kujton se jeta e të krishterit është e trajtuar me armiqësi në këtë botë. Por ne s’mund të kemi frikë dhe as trishtim: askush nuk mund të na e zhveshë dashurinë e Hyjit Atë, mirësinë e tij, mbrojtjen e tij. Do të mbërrijmë në krahët e tij, sepse Jezusi është me ne!

 

In primo piano