ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 mar 2019
03 MARS 2019

03 MARS 2019

1/3  E PREMTE VII GJ.V. [III]

Sir 6,5-17; Ps 118; Mk 10,1-12

Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë  Mk 10,9

 

Veprat e Hyjit nuk prishen e as nuk shkatërrohen. Vepra më e bukur e tij është bashkimi i të martuarve, bashkimi që formon ambientin më të përshtatshëm për rritjen dhe pjekurinë e fëmijëve, për qetësinë e tyre dhe gëzimin e tyre. Të shumta janë  tundimet kundër këtij bashkimi, dhe disa burojnë në zemrën e vetë njeriut. Dhëndri e nusja do të jenë çdo ditë të kujdesshëm për të kultivuar ndjenjat e tyre të dashurisë reciproke dhe të mos e vendosin vetveten në rastin e lënies së vetes së tyre për njerëzit e tjerë.

2/3  E SHTUNË VII GJ.V. [III]

Sir 17,1-13; Ps 102; Mk 10,13-16

Hyji nga toka e krijoi njeriun  Sir 17,1

 

Përpara se ta lexojmë plotësisht pjesën e shkurtër, do të lemë që nga zemra jonë të burojë një lutje ndaj Shpirtit Shenjt. Do të zbulojmë mrekullira! Ati na ka krijuar prej tokës, që të mbeteshim gjithnjë të përvuajtë dhe të varfër para tij; që të mos pushojmë asnjë çast për të qenë lypës të frymës së tij hyjnore, gjallëruese. Kështu, mund të shijojmë ëmbëlsinë, gjithëpushtetësinë dhe dhuratat e amshuara të dashurisë së tij.

 

 

3/3  E DIEL VIII GJ.V. Viti C [IV]

Sir 27, 4-7(5-8); Ps 91; 1Kor 15,54-58; Lk 6,39-45

Nxirre më parë traun nga syri yt  Lk 6,42

 

Ta vëmë re traun që është në syrin tonë dhe ta heqim, kërkon kohë, shumë kohë, aq shumë saqë na mbetet pak për t’u marrë edhe me lëmishtën e të tjerëve! Vetëm ai që ka bërë këtë ‘punë’ mbi vetveten, di t’i ndihmojë të tjerët me të vërtetë: do të jetë udhërrëfyes i besueshëm, i vëmendshëm ndaj zërit të Shpirtit, dhe do të dijë të nxjerrë fjalë të mira nga zemra e vet për t’i ndihmuar të tjerët të ndjekin Jezusin, Mësuesin e vërtetë, Zot dhe i vetmi Gjykatës.

 

4/3  E HËNË  VIII GJ.V. [IV]

(pf: Sh. Kazimiri, † 1484)

Sir 17,19-24(20-28); Ps 31; Mk 10,17-27

Lum ai njeri, shpirti i të cilit nuk ka dredhi  Ps 31,2

 

I lumë ai njeri që nuk ka një maskë për të fshehur atë që ka brenda. Madje, çfarë mund t’i fshehim vallë Zotit? Të kërkojmë ta bëjmë një gjë të tillë është prej budallenjsh! I lumë ai që ia dorëzon gjithë varfërinë e vet mëshirës së madhe të Hyjit. E madje shpeshherë, pa e vënë re, biem në një qëndrim të dyfishtë: i themi Zotit që e duam, por thellësisht i japim rëndësi diçkaje tjetër. Kështu ka bërë ai tipi i ungjillit të sotëm: nuk e ka njohur lumturinë e vërtet, dhe u largua i trishtuar, i gënjyer në pasuritë e veta.

5/3  E MARTË VIII GJ.V. [IV]

Sir 35,1-12(1-15); Ps 49; Mk 10,28-31

Kush bën lëmoshë, kushton flinë e falenderimit   Sir 35,4

 

Ne të krishterët jemi pjesë e një familjeje të vetme, ku vendi i parë i takon Zotit. Babai i familjes, me punën e tij që e angazhon gjithë ditën, me zemrën e tij bujare drejt të varfërve, është një lavd ndaj Atit. Murgu, që i kushton lutjes pjesën më të mirë të vetes së tij, është akoma një lavd ndaj Zotit. Zoti ndihet i dashur në të vërtetën, nga i pari dhe tek tjetri, dhe falë tyre mund të përhapë akoma bekimin e tij mbi botën.

6/3  E MËRKURA E PËRHIME [P]

Gal 2,12-18; Ps 50; 2Kor 5,20 - 6,2;

Mt 6,1-6.16-18

Kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e me dënesje      Jl 2,12

 

Zoti na ofron një kohë hiri për t’u kthyer tek ai “me gjithë zemër”. E fillojmë me një agjërim dhe një celebrim pendese që na angazhojnë të gjithëve, si një familje e vetme dhe e madhe. Ditë pas dite do të ecim drejt Pashkëve të Jezusit. Do të lemë që lutja dhe Fjala e tij të zgjojë në ne – sipas shprehjes që Papa Françesku e ka për zemër – “turpin për mëkatin tonë”: do të njohim pak më shumë gëzimin dhe lirinë e plotë që Jezusi ka fituar për ne me vuajtjet e tij, me kryqin e tij.

 

7/3  E ENJTE  pas të Përhimes [IV]

(p: Sh. Perpetua e Feliçita, martirë, † 202/203)

Lp 30,15-20; Ps 1; Lk 9,22-25

Sepse ai është jeta jote, gjatësia e ditëve të tua  Lp 30,20

 

Në Besëlidhjen e Vjetër, jetëgjatësia është e parë si shenjë e harmonisë mes njeriut dhe Hyjit. Nga nëntëqind e më shumë vite të Noehit, në psalmet zbritet në “shtatëdhjetë, ose tetëdhjetë për më të fuqishmit”. Në ditët tona shkenca po i rrit, por ama mbetet e vërtetë ajo që na ka qenë kujtuar dje: pluhur je dhe në pluhur do të përfundosh. Në fakt, jeta nuk është në këtë botë situata jonë përfundimtare: madje Ati na ka përgatitur… amshimin! Atje, me të vërtetë do të jetë harmonia e plotë me Atë, që na do sa s’ka më dhe na jep Jetën e tij.

8/3  E PREMTE pas të Përhimes [IV]

(p: Sh. Gjoni i Hyjit, rregulltar, † 1550)

Is 58,1-9; Ps 50; Mt 9,14-15

Do ta thërrasësh Zotin e ai do të përgjigjet: "Këtu jam"  Is 58,9

 

Zoti na dhuron një kohë hiri për të rinovuar jetën tonë, kështu ajo do të jetë e vlerësuar në sytë e tij, dhe ne do ta gëzojmë miqësinë e tij, me ndihmën e tij të fuqishme. Sot nga faqja e Besëlidhjes së Vjetër na tregohet rruga: lutja dhe sakrifica janë të vlerësuara nga Ati kur lindin nga dashuria, një dashuri që kualifikohet e vërtetë nëse bëhet instrument i mëshirës drejt bijve të vet dhe vëllezërve tanë më të varfër e të nevojshëm.

9/3  E SHTUNË  pas të Përhimes [IV]

(p: Sh. Françeska Romake, rregulltare, † 1440)

Is 58,9-14; Ps 85; Lk 5,27-32

E Zoti do të të prijë gjithmonë Is 58,11

 

Sa i bukur ky premtim! Ama, ky, është i paraprirë nga pesë “nëse”, që mund të përmblidhen kështu: «Nëse do të marrësh pjesë në dashurinë time për të shtypurin, të uriturin, të pikëlluarin; nëse do të jesh i mëshirshëm me të afërmin siç jam unë, Zoti yt». Po, Zoti është gjithmonë gati për të më mbajtur përdore dhe të më japë dritë e hir: në këtë Kreshmë do të kërkoj për të qenë edhe unë gati që të mund t’i përngjaj.

 

10/3  E DIEL I K.K. Viti C [I]

Dan 26,4-10; Ps 90; Rom 10,8-13; Lk 4,1-13

Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbeji  Lk 4,8

 

Në shkretëtirë djalli i kërkonte Jezusit që ta adhuronte, dhe në këmbim i premtonte të gjitha mbretëritë e tokës. Por, ama, Jezusi e donte Atin e tij, vazhdonte t’i dhuronte zemrën e vet vetëm atij…
Shpirti i Shenjt, na udhëhiq në këtë kreshmë, siç ke udhëhequr Jezusin në shkretëtirë: do të dimë të njohim dhe zgjedhim vullnetin e Atit, edhe kur ajo do të na çojë në rrugët e mundimshme dhe do të na kërkojë të vdesim ne vetë. Kështu, do të rritemi, si bij të tij, bartës të fortë e të gëzueshëm të jetës së tij, të dashurisë së tij, të bekimit të tij.

11/3  E HËNË I K.K. [I]

Lev 19,1-2.11-18; Ps 18; Mt 25,31-46

Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjt, Zoti, Hyji i juaj  Lev 19,2

 

Në qoftë se nuk jam i shenjt, nëse pra nuk bëj atë që bën Hyji në të cilin them se besoj, dhe nuk i përngjaj, çfarë dëshmie i jap? Asnjë. Përkundrazi, i bëj dhe figurë të keqe, e diskreditoj në sytë e atij që ende nuk beson. Po çfarë është shenjtëria e tij? Është dashuria: dashuria e tij e pranishme në çdo urdhërim, dashuria e fshehur në një gotë uji e dhuruar me gëzim.

 

12/3  E MARTË  I K.K. [I]

Is 55,10-11; Ps 33; Mt 6,7-15

E mos na lër të biem në tundim Mt 6,13

 

E rinjohim këtë fjalë: bën pjesë në lutjen e Ati ynë, dhuruar nga Jezusi. Edhe nëse akoma do të lutemi: “E mos na lër të biem në tundim”, do të jemi gjithmonë të sigurtë që kurrë asgjë e keqe mund të na vijë nga Ati, që ai nuk na shtyn në tundim. Në tundim, që mund të bëhet prova e fesë sonë, ai na është afër, na mbron, na “kurorëzon me fitore”, na liron nga ai që don të na rrëzojë. Ama, dëshiron, që ne t’ia kërkojmë, me besimin e përvuajtë.

 

13/3  E MËRKURË I K.K. [I]

Jon 3,1-10; Ps 50; Lk 11,29-32

Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë Jon 3,8

 

Populli i Ninivës kishte rënë në mëkate shumë të rënda, por, pas fjalës së profetit, duke filluar nga mbreti, bënë pendesë serioze, duke i kërkuar Zotit mëshirë. Dhe Zoti, me një dhimbje kaq të madhe saqë për t’i thyer vullnetin profetit të tij, ndërroi vendim që ta ndëshkonte popullin dhe e fali. Dhe ne, që kundrojmë Jezusin, me dhimbje në kryq për mëkatet tona, ne a nuk do të kërkojmë falje, plot me dhimbje dhe mirëbesim?

 

14/3  E ENJTE I K.K. [I]

Es 4,17 n.p-r.aa-bb.gg-hh; Ps 137; Mt 7,7-12

Na çliro nga dora e armiqve tanë  Es 4,17 hh

 

Në Kreshmë jemi të ftuar dhe të ndihmuar t’i luftojmë armiqtë tanë. Në kohëra kaq të trishta, të dhunës dhe luftrave është e rëndësishme të kujtojmë që armiqtë tanë nuk janë njerëzit. Është armiku ynë çdo dëshirë, çdo ves, çdo prirje, çdo ide, çdo rrymë mendimi që largon mua dhe të tjerët nga ai i cili na do si një Atë. Me besim, o Atë, të kërkojmë: na çliro nga dora e armiqve tanë. Fillo nga zemra jonë.

 

15/3  E PREMTE I K.K. [I]

Ez 18,21-28; Ps 129; Mt 5,20-26

Ai do të jetojë dhe nuk do të vdesë  Ez 18,28

 

Ati ynë përmes Jezusit dhe të gjithë vëllezërve që tashmë kanë përfunduar fitueshmërisht ecjen e jetës, na sigurojnë: është gjë e mundur dhe shumë e mirë të largohesh nga ajo që nuk i pëlqen Zotit e që ka hyrë në ne duke na hequr paqen, gëzimin dhe bashkimin me vëllezërit. Kjo është koha e volitshme; dëshirojmë të angazhohemi, së bashku, dhe do të jetojmë një jetë të re, me Jezusin e Ringjallur.

 

 

16/3  E SHTUNË I K.K. [I]

Dan 26,16-19; Ps 118; Mt 5,43-48

Duani armiqtë tuaj  Mt 5,44

 

Përse Jezusi na kërkon kaq shumë? Sepse e amshueshme është dashuria e atij Hyji që ai na ka treguar. Nëse duam vetëm deri aty ku na shoqëron mentaliteti njerëzor e arsyeja jonë, nuk jemi dishepuj të tij, nuk besojmë në Atë, nuk jemi të krishterë.
Jezusi don të vendosë në ne dëshirën që t’i përngjajmë Atit. Dhe për të realizuar këtë dëshirë, madje e pamundur, na dhuron Shpirtin Shenjt. Është Shpirti i tij që na bën të aftë për të dashur në mënyrë të përkryer, si Hyji!

17/3  E DIEL II K.K. Viti C [II]

Zan 15,5-12.17-18; Ps 26; Fil 3,17 - 4,1; Lk 9,28-36

Jezusi mbeti vetëm  Lk 9,36

 

Tre dishepujt, mbi mal, kanë parë lavdinë e Jezusit dhe kanë mbetur të mahnitur; kanë parë Moisiun dhe Elinë e kanë dëgjuar Fjalën nga lart. Më pas, “Jezusi mbeti vetëm”: prania e tij e thjeshtë, e përvuajtë, nganjëherë e refuzuar nga njerëzit. Por tani, dishepujt e dinë që mbi Jezusin është vënë pëlqimi i Atit: vetëm me Jezusin ecin me siguri drejt atij.

 

18/3  E HËNË II K.K. [II]

(p: Sh. Çirili i Jerusalemit, ip. e mës i K., † 386)

Dan 9,4-10; Ps 78; Lk 6,36-38

Jepni e do t’u jepet  Lk 6,38

 

Është një lëmoshë që të gjithë mund të bëjmë, më bujari, me zemërgjerësi: japim faljen, japim paqen, japim buzëqeshjen, japim nderin; i japim të afërmit atë që i ushqen jetën, jo vdekjen! Ati do ta mbajë fjalën e dhënë nga Jezusi!

 

19/3  E MARTË SH. JOZEFI, Fati i Sh. MARISË  VIRGJËR (E kremte)[P]

2Sam 7,4-5.12-14.16; Ps 88; Rom 4,13.16-18.22; Mt 1,16.18-21.24 ose Lk 2,41-51

Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde   Mt 1,20

 

Është solemniteti i Sh. Jozefit, që është bërë festa e të gjithë baballarëve. Kësaj here, u takon ju fëmijëve të përgatisni dhuratën për ta! Do t’i ofroni babait një lutje të bukur dhe një ditë plot bindje. Atëherë, Zoti, do të dërgojë engjëllin e vet që t’i sjell shumë dritë, shumë guxim, shumë forcë babait tuaj.

 

 

20/3  E MËRKURË II K.K. [II]

Jer 18,18-20; Ps 30; Mt 20,17-28

Më vështro, o Zot  Jer 18,19

 

Profeti Jeremia, që e donte popullin dhe ishte bërë ndërmjetësi i tyre përpara Zotit, tani, nga po i njëjti popull, është i persekutuar. Është kjo që ndodh atij që, me një jetë besnike ndaj Ungjillit dhe me fjalën, shpall udhën e Zotit. Këta njerëz, miq të Hyjit dhe të të afërmve të tyre, nuk i përgjigjen të keqes me të keqe; përkundrazi, i drejtohen Zotit, të ardhur tek ne si Qengji, dhe atij i kërkojnë shëlbimin për veten dhe për ata që u bëjnë keq atyre: “Më vështro, o Zot!”.

21/3  E ENJTE II K.K. [II]

Jer 17,5-10; Ps 1; Lk 16,19-31

Unë, Zoti, shqyrtoj mendjen dhe zemrën  Jer 17,9

 

Faleminderit, Atë, për këtë fjalë tënden. Ajo nuk më shtie frikën, përkundrazi, më jep paqe dhe lehtësim. Ti vetë ke thënë që zemra me vështirësi shërohet: po për ty asgjë është e pamundur! Faleminderit që shikon se sa plagë dhe dobësi kanë nevojë për dorën tënde që fal, lehtëson, shëron dhe jep jetë.

 

 

22/3  E PREMTE II K.K. [II]

Zan 37,3-4.12-13.17-28; Ps 104; Mt 21,33-43.45-46

Në fund, dërgoi të birin  Mt 21,37

 

Atë, nga këto fjalë të Jezusit kuptoj se sa e madhe është dashuria jote për mua: duke më parë vetëm, pa jetë, pa dashuri, pa gëzim, ti më dërgon Birin tënd. E dërgon “në fund”: ke provuar çdo rrugë tjetër, por vetëm sakrifica jote, vetëm sakrifica e atij që do, ka mundur të më shpëtojë. Dua gjithnjë të të falenderoj, o Atë! Dua gjithnjë të mirëpres ty, o Jezus, edhe kur, në dashurinë tënde, më shpie që të mohoj vetveten dhe egoizmin tim.

 

23/3  E SHTUNË II K.K. [II]

(p: Sh. Turibi i Mongrevejës, ip., † 1606)

Mik 7,14-15.18-20; Ps 102; Lk 15,1-3.11-32

Sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall     Lk 15,24

 

Kjo shprehje, që Jezusi vendos në gojën e atit që bën festë për kthimin e djalit rebel dhe i shthurur, na bën që të shikojmë më përtej. Na bën të kalojmë mendimin njerëzor që instiktivisht çmon të mirët dhe dënon të këqinjtë. Na bën të kalojmë nga drejtësia njerëzore në dashurinë hyjnore. Ai që për Atin është bir, për mua është vëlla: a mos vallë edhe unë nuk do të bëj festë, duke marrë pjesë në gëzimin e Atit tim? Pasi kam shijuar ëmbëlsinë e përqafimit të tij çdo herë që kam ikur dhe më pas jam rikthyer tek ai, a nuk do ta përqafoj vëllain tim që kthehet?

24/3  E DIEL III K.K. Viti C [III]

Es 3,1-8.13-15; Ps 102; 1Kor 10,1-6;10-12; Lk 13,1-9 (ose leximet e vitit A)

Zotëri, lëre akoma këtë vit  Lk 13,8

 

Faleminderit, Jezus, që ndërmjetëson për ne, dhe për secilin prej nesh, i ofron Atit mundimin tënd, vuajtjen tënde, jetën tënde. Në Kishën tënde të shenjtë po përkujdesesh për secilin prej nesh: don t’i prezantosh Atit, secilin në ditën e vet, të shkëlqyeshëm me dritën tënde. Madje, bëj gjithçka që sheh të nevojshme, o Jezus; shkule prej nesh atë që na heq jetën, gjithçka të keqe: kemi besim në dashurinë tënde.

 

25/3  E HËNË LAJMËRIMI I ZOTIT                         (E kremte)[P]

Is 7,10-14; 8,10c; Ps 39; Heb 10,4-10; Lk 1,26-38

Mos ki frikë, o Mari  Lk 1,30

 

“Mos ki frikë, o Mari”: fjala që engjëlli i drejton Marisë, është fjala e Hyjit, ai Hyj që është Atë, që është, domethënë, i gjithëpushtetshëm në dashuri. Ai përmbush premtimin e tij, projektin e tij të shëlbimit: dërgon neve Birin, Jezusin. Tani mund të themi: “Mos ki frikë, … (vendos emrin tënd)”; sepse mirëpret Jezusin, nuk duhet, nuk mund të kesh më frikë!
Faleminderit, Maria, sepse ke mirëpritur Jezusin edhe për ne!

 

 

26/3  E MARTË III K.K. [III]

Dan 3,25.34-43; Ps 24; Mt 18,21-35

Zotëria pati dhimbë  Mt 18,27

 

Jezusi është duke iu përgjigjur pyetjes së Pjetrit: “… sa herë duhet ta fal?”. Jezusi dëshiron të na mësojë t’i lemë mënjajnë llogaritë; përkundrazi, i tregon zemrën e Atit dhe e fton ta përvetësojë dhembshurinë që mbretëron në të. Atëherë Pjetri nuk do mund të bëjë ndryshe përveçse të dojë, gjithmonë; nuk do mund të bëjë ndryshe veçse të falë, gjithnjë.

 

 

27/3  E MËRKURË III K.K. [III]

Dan 4,1.5-9; Ps 147; Mt 5,17-19

Erdha ta përkryej Ligjin  Mt 5,17

 

Faleminderit Jezusit, falë dhurimit të tij për ne mbi kryq, mund ta mirëpresim dhuratën e Shpirtit Shenjt. Ky na bën ta jetojmë një marrëdhënie dashurie, një marrëdhënie birësore, me Atin, duke na dhuruar kështu një dritë të re ndaj fjalëve të tija dhe duke na ndihmuar t’i jetojmë. Jezusi është me të vërtetë përmbushja e zbulesës!

 

28/3  E ENJTE III K.K. [III]

Jer 7,23-28; Ps 94; Lk 11,14-23

I kërkonin një shenjë nga qielli Lk 11,16

 

Është absurde kjo kërkesë që ia bëjnë Jezusit! Ai sapo kishte dëbuar një djall, dhe njeriu, më parë memec, kishte filluar të flasë: disa thonë që Jezusi e ka bërë këtë mrekulli me pushtetin e satanit, të tjerët i kërkojnë një shenjë në ngjarjet natyrore. Ata janë me të vërtetë “kokëfortë”, si ata që Hyji i qorton përmes gojës së Jeremisë.
Të kërkoj të falur, Atë, sepse kam lënë të shkojnë bosh shumë fjalë të tua të çmuara dhe shumë shenja të dashurisë sate. Më bëj të përvuajtë që të mirëpres “shenjën” që ti gjithmonë, më jep me gëzim: Jezusin!

 

9/3  E PREMTE III K.K. [III]

Oz 14,2-10; Ps 80; Mk 12,28-34

Dëgjo, o Izrael  Mk 12,29

 

Përgjigja pak e sjellshme që kam dhënë dje në mbrëmje ka trazuar paqen time, lutjen time dhe marrëdhënien time me atë person. Jezus, më ke dhënë hirin që të kërkoj falje dhe që ta marr atë. Tani unë do të jem më i kujdesshëm: përpara se ta hap gojën, do të dëgjoj atë që më vëndos në zemër ti. Ti më ji pranë dhe më ji Atë: dua të marr jetë – mendime, ndjenja, fjalë – vetëm prej teje!

 

 

30/3  E SHTUNË III K.K. [III]

Oz 6,1-6; Ps 50; Lk 18,9-14

Fariseu, duke qëndruar në këmbë, lutej në vetvete…  Lk 18,11

 

“Në vetvete”: është një gjest i vogël, por që ama, thotë shumë. Fariseu që po lutej në tempull përpara tagrambledhësit, është i fryrë me veten dhe është i mbyllur në vetvete. Në realitet nuk është duke u lutur, nuk i është drejtuar Hyjit, por vetevetes: madje lëvdon vetveten para Hyjit dhe përçmon të tjerët. Sigurisht, të falenderoj Zotin që më ka ndihmuar të mos bëj të keqen, mundem, përkundrazi, duhet ta bëj, por s’mund të mburrem: e gjitha është hiri i tij.

31/3  E DIEL IV K.K. Viti C [IV]

Jz 5,9.10-12; Ps 33; 2Kor 5,17-21; Lk 15,1-3.11-32 (ose leximet e vitit A)

Do të çohem e të shkoj tek ati im         Lk 15,18

 

Do t’i jap vetes fuqi dhe të shkoj tek Ai që më ka dashur dhe më ka krijuar, tek Ai që më do. Do t’i besoj mashtrimin tim dhe mëkatin tim, vetminë time, dëshpërimin tim dhe varfërinë time të madhe të brendësisë sime. E di që ai më pret, më mikpret. Në Sakramentin e Kishës së tij ma jep sigurinë. Prej dashurisë së tij do të kem ende jetë.

In primo piano